Për herë të parë në histori, faqja zyrtare e Bashkisë Pustec edhe në gjuhën maqedonase, me kërkesë të Shoqatës Maqedonase “Ilinden”-Tiranë

Falë angazhimit dhe kërkesës zyrtare të Shoqatës Maqedonase “Ilinden”-Tiranë, Bashkia Pustec ka pranuar kërkesën që faqja zyrtare e Bashkisë, krahas gjuhës shqipe, të jetë e disponueshme edhe në gjuhën maqedonase.

Ky përbën një hap të rëndësishëm në avancimin e të drejtave gjuhësore të pakicës kombëtare maqedonase në Republikën e Shqipërisë dhe në mundësimin e informimit të qytetarëve nga pushteti vendor në gjuhën e tyre amtare.

Pranimi i kërkesës vjen pas nismës institucionale të Shoqatës Maqedonase “Ilinden”-Tiranë, e cila iu drejtua kryetarit të Bashkisë, kryetarit dhe anëtarëve të Këshillit Bashkiak, si dhe paraqiti ankesë pranë Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi dhe Avokatit të Popullit të Republikës së Shqipërisë.

Shoqata Maqedonase “Ilinden”-Tiranë shpreh mirënjohje të veçantë për Komisionerin për Mbrojtjen nga Diskriminimi të Republikës së Shqipërisë për trajtimin institucional dhe mbështetjen në shqyrtimin e çështjes për sigurimin e qasjes në informacionin zyrtar edhe në gjuhën maqedonase.

Falënderime i drejtojmë gjithashtu Bashkisë Pustec për pranimin e kërkesës dhe ndërmarrjen e hapave për mundësimin e versionit në gjuhën maqedonase të faqes zyrtare të internetit.

Ky rezultat dëshmon se angazhimi i vazhdueshëm institucional për respektimin e të drejtave të maqedonasve në Shqipëri mund të sjellë ndryshime konkrete.

Përfshirja e gjuhës maqedonase në faqen zyrtare të Bashkisë do të kontribuojë në informimin më të mirë të qytetarëve, në qasjen më të lehtë në informacionin publik dhe në përmirësimin e komunikimit me institucionet vendore.

Shoqata Maqedonase “Ilinden”-Tiranë pret që angazhimi i ndërmarrë të realizohet plotësisht në praktikë dhe do të vazhdojë veprimtarinë e saj për mbrojtjen dhe avancimin e identitetit kombëtar, gjuhësor dhe kulturor të maqedonasve në Republikën e Shqipërisë.

Faqja zyrtare e Bashkisë Pustec: https://bashkiapustec.gov.al/mk/