Etiketë: <span>Bashkia Pustec</span>

Për herë të parë, faqja zyrtare e Bashkisë Pustec do të jetë në gjuhën maqedonase, me kërkesë të Shoqatës Maqedonase “Ilinden”-Tiranë

Bashkia Pustec ka pranuar kërkesën e Shoqatës Maqedonase “Ilinden”-Tiranë që faqja zyrtare e Bashkisë të jetë e disponueshme, krahas gjuhës shqipe, edhe në gjuhën maqedonase.

Kjo nismë nga Shoqata Maqedonase “Ilinden”-Tiranë, do të bëjë të mundur që, për herë të parë, faqja zyrtare e Bashkisë Pustec të ofrojë informacion edhe në gjuhën maqedonase.

Pas kërkesës zyrtare të Shoqatës Maqedonase “Ilinden”-Tiranë drejtuar kryetarit të Bashkisë Pustec, kryetarit të Këshillit Bashkiak dhe anëtarëve të Këshillit, si dhe ankesës së paraqitur pranë Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi dhe Avokatit të Popullit të Republikës së Shqipërisë, Bashkia Pustec ka kthyer përgjigje pozitive, duke konfirmuar se faqja zyrtare e saj do të jetë edhe në gjuhën maqedonase.

Shoqata Maqedonase “Ilinden”-Tiranë e mirëpret këtë përgjigje pozitive, e cila vjen pas angazhimit dhe këmbënguljes së saj institucionale për respektimin e të drejtave gjuhësore të pakicës kombëtare maqedonase në Republikën e Shqipërisë.

Nisma e shoqatës u mbështet në Ligjin nr. 96/2017 “Për mbrojtjen e pakicave kombëtare në Republikën e Shqipërisë”, i cili garanton të drejtat e pakicave kombëtare, përfshirë të drejtën e përdorimit të gjuhës së tyre në komunikimin me organet e pushtetit vendor në zonat ku ato jetojnë tradicionalisht.

Përfshirja për herë të parë e gjuhës maqedonase në faqen zyrtare të Bashkisë Pustec, si rezultat i kërkesës së Shoqatës Maqedonase “Ilinden”-Tiranë, do të mundësojë informimin më të mirë të qytetarëve, do të lehtësojë qasjen në informacionet publike dhe do të përmirësojë komunikimin ndërmjet qytetarëve dhe institucioneve vendore.

Shoqata Maqedonase “Ilinden”-Tiranë vlerëson se pranimi i kësaj kërkese përbën një rezultat konkret të angazhimit të saj për mbrojtjen e identitetit kombëtar, gjuhësor dhe kulturor të maqedonasve në Republikën e Shqipërisë.

Shoqata falënderon Komisionerin për Mbrojtjen nga Diskriminimi për shqyrtimin e ankesës dhe shpreh pritshmërinë që premtimi i Bashkisë Pustec të zbatohet në praktikë, në mënyrë që qytetarët të kenë mundësi të përdorin dhe të marrin informacion edhe në gjuhën e tyre amtare.

Shoqata Maqedonase “Ilinden”-Tiranë do të vazhdojë të angazhohet për respektimin e të drejtave të pakicës kombëtare maqedonase dhe zbatimin e plotë të legjislacionit për mbrojtjen e pakicave kombëtare në Republikën e Shqipërisë.