Shoqata Maqedonase “Ilinden”-Tiranë uron drejtuesit të ri të SPAK, Klodian Braho dhe pret që SPAK të hetojë me përparësi lëshimin e paligjshëm të çertifikatave për origjinë bullgare nga institucionet lokale shqiptare
Shoqata Maqedonase “Ilinden”-Tiranë i uron punë të mbarë z. Klodian Braho, i cili është zgjedhur drejtues i ri i Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK).
Shoqata Maqedonase “Ilinden”-Tiranë pret që SPAK të hetojë me përparësi lëshimin e paligjshëm të çertifikatave për origjinë bullgare nga institucionet lokale shqiptare, si dhe ndikimin që grupet e ndërmjetësve të pasaportave bullgare ushtruan në procesin e regjistrimit të vitit 2023 në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë.
Këto grupe abuzuan me pushtetin dhe lidhjet e tyre për të emëruar regjistruesit e tyre, ndërsa ushtruan presion, kërcënime dhe ryshfet ndaj qytetarëve shqiptarë me qëllim që t’i detyronin ata të deklaroheshin si bullgarë dhe të manipulonin të dhënat e regjistrimit.
Për më tepër, ne kërkojmë një hetim mbi aktivitetet e paligjshme të fondacioneve nga Bullgaria, të cilat veprojnë me qëllim asimilimin e komunitetit vendas maqedonas në Republikën e Shqipërisë, duke kërcënuar identitetin, kulturën dhe të drejtat e tij.
Shoqata Maqedonase “Ilinden”-Tiranë shpreh përgëzime për arritjet e pamohueshme të SPAK-ut gjatë tre viteve të fundit nën drejtimin e Altin Dumani, duke shpresuar që puna e z.Klodian Braho të jetë po aq e suksesshme dhe në shërbim të transparencës dhe drejtësisë.