Shoqata Maqedonase “Ilinden”-Tiranë uroi zgjedhjen e kreut të ri të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë
Shoqata Maqedonase “Ilinden”-Tiranë i ka dërguar sot një mesazh urimi Fortlumturisë së Tij Kryepeshkopit Joan, me rastin e zgjedhjes së tij në krye të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë.
Në emrin tim personal, në emër të Shoqatës, si dhe në emër të Pakicës Kombëtare Maqedonase që jeton në Republikën e Shqipërisë, ju shprehim urimet tona për zgjedhjen tuaj të denjë si Kryepeshkop i Tiranës, Durrësit dhe i gjithë Shqipërisë, thuhet në letrën e nënshkruar nga Kryetari Nikolla Gjurgjaj.
Shtohet se në periudhën gati tredhjetëvjeçare, si Mitropolit i Mitropolisë së Korçës, ka respektuar të gjithë besimtarët dhe është respektuar nga të gjithë, dhe i urohet “shërbim i gjatë dhe i shkëlqyer si Kryeprift”.
Nën drejtimin tuaj, Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë do të vazhdojë të jetë një shtyllë e fortë besimi, paqeje dhe vlerash shpirtërore për besimtarët dhe për mbarë shoqërinë shqiptare. Ju përgëzojmë nga zemra, qëndrojmë me shumë respekt dhe dashuri te Zoti, duke ju uruar një shërbim të gjatë dhe të shkëlqyer si Kryeprift.