Shoqata maqedonase “Ilinden”-Tiranë kërkon që faqja zyrtare e Bashkisë Pustec të publikohet edhe në gjuhën maqedonase
Shoqata maqedonase “Ilinden”-Tiranë i është drejtuar me një kërkesë zyrtare Kryetarit të Bashkisë Pustec, Kryetarit të Këshillit Bashkiak dhe anëtarëve të Këshillit Bashkiak, duke kërkuar që faqja zyrtare e Bashkisë Pustec të jetë e aksesueshme edhe në gjuhën maqedonase, krahas gjuhës shqipe.
Në kërkesë, shoqata thekson se mbështetet në Ligjin nr. 96/2017 “Për mbrojtjen e pakicave kombëtare në Republikën e Shqipërisë”, i cili garanton të drejtat e pakicave kombëtare, përfshirë përdorimin e gjuhës së tyre në marrëdhëniet me organet e vetëqeverisjes vendore në zonat ku ato banojnë tradicionalisht.
Publikimi i faqes zyrtare të Bashkisë edhe në gjuhën maqedonase do të ishte një hap i rëndësishëm për zbatimin praktik të të drejtave të pakicës kombëtare maqedonase, duke përmirësuar aksesin e qytetarëve në informacionin publik dhe komunikimin me institucionet vendore.
Shoqata vlerëson se një nismë e tillë do të kontribuonte në rritjen e transparencës institucionale, në respektimin e diversitetit gjuhësor dhe kulturor, si dhe në zbatimin e standardeve kombëtare dhe ndërkombëtare për mbrojtjen e të drejtave të pakicave kombëtare.
Kërkesa është dërguar për dijeni edhe Komisioneres për Mbrojtjen nga Diskriminimi, si dhe Avokatit të Popullit.
Shoqata maqedonase “Ilinden”-Tiranë shpreh besimin se institucionet përgjegjëse do ta shqyrtojnë kërkesën me vëmendje dhe do të ndërmarrin hapat e nevojshëm për ta bërë faqen zyrtare të Bashkisë Pustec të disponueshme edhe në gjuhën maqedonase.