Dr. Ilir Shyta nga TV SOT 7 fitues i Çertifikatës “Ilinden” për vitin 2026

Dr. Ilir Shyta, gazetar në televizionin SOT 7, u nderua me Çertifikatën e mirënjohjes “Ilinden” për vitin 2026, çmim ky i dhënë nga Shoqata maqedonase “Ilinden”-Tiranë.

Çertifikata e mirënjohjes për Shytën u dorëzua sot në Korçë, me autorizim nga Shoqata maqedonase “Ilinden”-Tiranë, nga kryetari i Aleancës së Maqedonasve për Integrimin Europian (AMIE), Vasil Sterjovski.

Vlerësimi i është ndarë për angazhimin e tij në profesionin e gazetarisë dhe kontributin në publikimin dhe afirmimin e të vërtetës për historinë, kulturën dhe traditës së maqedonasve në Shqipëri.

Sterjovski e përgëzoi Dr. Ilir Shytën për vlerësimin e marrë, duke theksuar përkushtimin e tij në informimin e publikut për çështjet që lidhen me komunitetin maqedonas në Shqipëri.

“E uroj Dr. Ilir Shytën për Çertifikatën “Ilinden”. Përkushtimi i tij profesional dhe interesi për historinë, kulturën dhe traditën e maqedonasve në Shqipëri përfaqësojnë një kontribut të rëndësishëm për afirmimin e tyre dhe për njohjen e publikut të gjerë me trashëgiminë maqedonase në Shqipëri”, theksoi Sterjovski.

Çertifikata “Ilinden” ndahet si vlerësim për personalitete të cilët me angazhimin e tyre kontribuojnë në afirmimin dhe ruajtjen e identitetit, kulturës, gjuhës, historisë dhe traditës maqedonase.